Haxhi Krasniqi i kthehet ringut, më 4 maj bokson kundër portugezit Silva

Boksieri i njohur kosovar Haxhi (Robin) Krasniqi do të ngjitet sërish në ring më 4 maj. Ai në Augsburg të Gjermanisë do ta ketë përballë portugezin Jorge Silva.

Për Krasniqin do të jetë meçi i 61-të në boksin profesionist dhe i pari që nga fitorja në Prishtinë ndaj Nadjib Mohammedit në gusht të vitit të kaluar, meç që ngjalli shumë reagime.

Krasniqi e kishte fituar atë përballje, pasi Mohammedi ishte diskualifikuar në raundin e nëntë për goditje prapa kokës.

Krasniqi në boksin profesionist ka 53 fitore e shtatë humbje, ndërsa kundërshtari i radhës Silva i ka 22 fitore e nëntë humbje.

“Jam shumë i lumtur, që përballja ime e radhës do të jetë në Augsburg. Unë jetoj në Gersthofen tash e disa vite dhe ndihem shumë mirë. Është një ndeshje në shtëpi për mua, por edhe një përgjegjësi e madhe, që tifozëve të mi t’u ofrojë atë që presin gjithmonë nga unë – një luftë të fortë dhe nga e cila largohem si fitues”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi në vitin 2020 kishte fituar titullin e përkohshëm të botës në versionin WBA dhe titullin e botës në versionin IBO, duke e nokautuar gjermanin Dominic Boesel. Krasniqi kishte pësuar me pikë në rimeç ndaj Boeselit.

Krasniqi zë vendin e shtatë në renditjen botërore të versionit WBC në kategorinë gjysmë të rëndë.

Lini një Përgjigje