Haxhiu: Dhjetëshja e fundit e PDK-së më e vleshme se dhjetëshja e parë e çdo partie tjetër

Me numër 109 në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu kandidon për të katërtën herë për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Në të tri herët e kaluara ky numër i ka sjellë fat, por më shumë se kaq, Haxhiu thotë se iu ka dëshmuar qytetarëve se është i përgjegjshëm.

E kur jemi të lista, ai thotë se vetëm dhjetëshja e fundit e PDK-së është më e mirë se dhjetëshja e parë e të gjitha partive të tjera që janë në garë në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Haxhiu është i bindur në fitoren e PDK-së duke shtuar se partia e tij ka programin më të mirë. Personalisht, ai premton se do të përkrahë edhe më shumë projektet e fushës së shëndetësisë dhe sportit.

Për Kadri Veselin, Haxhiu thotë se është lider që mban fjalën duke përmendur faktin që ka larguar nga pozita njerëz me aktakuza dhe nuk ka përfshirë asnjë të tillë në listën për deputetë.

“Do të dalim fitues me kryeministër Kadri Veseli. Është programi ynë më i mirë qeverisës të cilën kryeministri i ardhshëm Kadri Veseli ia ofron qytetarëve, është personi dhe lideri i vetëm në këtë vend që ka bërë veprime konkrete në largimin e uzurpatorëve nga prona publike, është personi i vetëm i cili ka larguar njerëz me aktakuza nga poste publike dhe është personi i vetëm dhe lideri i vetëm i cili nuk ka përfshirë në listën për deputetë persona me aktakuza për korrupsion dhe nepotizëm dhe ka ofruar një listë të Partisë Demokratike, një listë të deputetëve e cila është bindshëm më e mira. Krahasoni dhjetëshen e fundit të Partisë Demokratike, jo që jam unë i parafundit me 109, por krahasoni 110 është kryetari i Rinisë Demokratike Donjeti (Bislimi), dhe pastaj të tjerët në dhjetëshen e fundit të Partisë Demokratike është me e vlefshme sesa dhjetëshja e parë e t ë gjitha partive politike të tjera”, tha Haxhiu për KosovaPress.

Duke u ndalur tek shëndetësia, Haxhiu thotë se sistemi shëndetësor ka pasur vështirësi të mëdha ndaj të cilit ka qenë kritiku më i zëshëm, por thekson se viteve të fundit ka pasur përmirësime.

Duke përmendur Kardiologjinë, ai thotë se vetëm aty janë kursyer mbi 12 milionë euro pasi janë blerë barna deri në 300% më shtrenjtë, ndërsa i është dhënë fund edhe abuzimeve të tjera e po ashtu edhe lista e pritjes është hequr.

Përkundër përmirësimeve në shërbime, Haxhiu thotë se ka ende punë për të bërë, por se po ecet në rrugë të mbarë.

Si prioritet ministri i ri Shëndetësie, sipas Haxhiut, duhet të ketë funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore. Ai thotë se me PDK-në kjo do të ndodhë brenda mandatit të parë qeverisës.

Po ashtu, ai përmend edhe investimet në funksionalizimin e sistemit shëndetësor në tërë vendin.

Si person aktiv edhe në fushën e sportit, Bekim Haxhiu premton që nuk do të harrojë as këtë fushë në mandatin e tij të ri si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Ai thotë se të tjerët janë tallur dhe vazhdojnë të tallen me sportin e Kombëtaren e Kosovës kur për herë të parë në vitin 2013 kishte iniciuar debat për sportin.

Ligji për Sponsorizime thotë se do të sjellë shumë përfitime për klubet kosovare, ndërsa premton edhe inicimin e një tjetër ligji gjatë mandatit të ardhshëm.

Ai përmend Ligjin për Menaxhimin dhe Sigurinë e objekteve sportive ku sipas tij Policia e Kosovës do të ketë obligim që të bëjë sigurimin e ndeshjeve të çdo kategorie në çdo lloj sporti.