Haxhiu: E çuditshme, lirohet serbi që ka komunikim me Rusinë

Arrestimi dhe pastaj lirimi i dy shtetasve të Serbisë të cilët kishin blerë emblema të UÇK-së në një dyqan të Prishtinës, ka habitur institucionet e Kosovës.

Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thanë në një konferencë për medie, se pas situatës së krijuar në Ukrainë, institucionet e sigurisë duhet të kenë bashkëpunim e jo injorim të situatës.

Haxhiu tha se vendimi i Prokurorisë është i çuditshëm, duke thënë se njëri nga të akuzuarit, sipas informacioneve, ka  bashkëpunim me Rusinë.

“Institucionet e sigurisë kanë informacione se njëri prej personave të shoqëruar në polici, ka komunikime të shumta me persona nga Federata Ruse, individë të strukturave të Inteligjencës serbe, prandaj kanë mjaftuar këto informacione për të rritur dyshimin se personat në fjalë, të përgatisin një aktivitet që të cenojë sigurinë dhe t’i shtonte tensionet në Kosovë. Prokuroria i ka liruar në procedurë të rregullt dhe ky vendim është i çuditshëm, i befasishëm, për ne si Qeveri por edhe për qytetarët. Këto veprime janë injorim i ndonjë aktiviteti që do të cenonte sigurinë”, deklaroi ministrja e Drejtësisë.

Haxhiu tha se Qeveria e Kosovës kërkon vigjilencë dhe i inkurajonëq institucionet që të punojnë në këtë drejtim./EO/