Haxhiu: KGJK dhe KPK duhet të kishin reaguar për skandalet, s’do t’i mbyllim sytë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i është përgjigjur Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial, pasi këto dy organe reaguan pasi ajo paralajmëroi se do ta ndërpres bashkëpunimin nëse nuk reagojnë ndaj skandaleve.

Haxhiu ka thënë se ka pritur diçka tjetër nga komunikatat e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial.

“Sot kam pritur komunikata nga këshillat me anë të së cilave do të përshëndesnin miratimin e strategjisë për sundimin e ligjit. Në vend të kësaj, KGJK dhe KPK, paskan reaguar kundrejt deklaratës sime ku kam theksuar që nuk do të ketë bashkëpunim me këshillat nëse nuk reagojnë kundrejt skandaleve dhe nëse nuk veprojnë në përputhje me përgjegjësitë e tyre ligjore. Këtë e paskan cilësuar si “interferim në punën e tyre”!”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo thotë se të gjitha raportet evidentojnë probleme të mëdha në sistemin e drejtësisë.

“Jo vetëm unë, po s’ka asnjë raport të vetëm në të cilin nuk evidentohen problemet e mëdha në sistemin e drejtësisë dhe si Ministri, përditë përballemi me shqetësimet e qytetarëve në raport me mosveprimin e institucioneve të drejtësisë. Vonesat në trajtim të lëndëve, ndikimet në sistem, neglizhenca dhe shumë të tjera janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballet sistemi i drejtësisë”, ka shkruar Haxhiu.

Duke shkruar se Qeveria ka marrë mandatin e kthimit të besimit qytetar në institucionet e drejtësisë, ajo ka thënë se s’duhet të mbyllen sytë përballë padrejtësive.

“Bashkëpunimi me institucionet e drejtësisë, është i rëndësishëm, në kuptim të krijimit të kushteve të punës me qëllim të zbatimit të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. Asnjëherë nuk do t’i mbyllim sytë përballë padrejtësive e shkeljeve. Skandalet në sistemin e drejtësisë janë alarm dhe kjo duhet të përbëj shqetësim edhe për vet këshillat përkatës dhe është në mandatin tim kushtetues të bëj thirrje për zbatimin e kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore. Barikadimi nuk i ndihmon sistemit e as nuk është shërbim të drejtësisë”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo tha se është koha e fundit për të punuar e angazhuar në këtë drejtim.

“Këtë ua kemi borxh qytetarëve dhe vendit”, shkroi ministrja Haxhiu.