Haxhiu: Lajm jashtëzakonisht i mirë sanksionimi i grupeve të krimit të organizuar në veri

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj sanksionimit të grupeve të krimit të organizuar në veri, duke e quajtur atë një lajm jashtëzakonisht të mirë.

“Lajm jashtëzakonisht i mirë sanksionimi i grupeve të krimit të organizuar në veri, të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojçiq”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Haxhiu tha se e kanë theksuar që moti se veriu është i tillë, jo për shkak të banorëve, por sepse është kontrolluar nga grupe të tilla kriminale, që nuk kanë pasur vetëm mbështetjen e Beogradit, por edhe të Prishtinës.

“Këto grupe kriminale, që hera-herës priteshin edhe në zyrat e institucioneve tona më të larta, fshihen prapa rezistencës që u bëjnë organeve të rendit për të sjellë rend e ligj në atë pjesë të republikës”, ka shtuar ministrja.

Sipas saj, Kosova është e përcaktuar qartë në luftimin e kriminalitetit në çdo cep të saj, ndërkaq sanksionet e ShBA-së mbi këto grupe kriminale, thotë se tregojnë qartë adresat konkrete të vatrave të kriminalitetit që terrorizojnë qytetarët e asaj ane.