Haxhiu: Nëse Arben Vitia nuk jep dorëheqje pas dështimit me vaksinim, Kurti duhet ta shkarkojë atë

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka kritikuar qeverinë Kurti 2 rreth menaxhimit të vaksinimit që është duke ndodhur në Kosovë.

Haxhiu konsideron se po keq-menaxhohet me procesin e vaksinimit dhe për këtë fajëson ministrin e shëndetësisë, Arben Vitia.

Madje, Haxhiu ka kërkuar nga Kurti që ta shkarkojë Vitinë, nëse ky i fundit nuk dorëhiqet për dështimin e vaksinimit masiv, përcjell Fokusi.info.

Haxhiu reagimin e ka bërë në Facebook, ku e ka cilësuar procesin e vaksinimit si proces të dështuar nga ana e qeverisë aktuale, ku si pasojë situata me pandeminë po shkon drejtë përkeqësimit.

Haxhiu parasheh rrezik të mbylljes së sërishme të vendit, të cilët do të shkaktonin dëme të mëdha për ekonominë e Kosovës.

Ai, gjithashtu ka përmendur shifrat e qytetarëve të vaksinuar, të cilat, sipas tij, nuk përputhen me premtimet e qeverisë Kurti.