Daçiç falënderon Meksikën që s’e njeh Kosovën

Shefi i diplomacisë dhe zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Ivica Dacic, nuk po po i ndalet retorikës e metodës së vjetër, ai ka thyer zotimin përsëri për të mos lobuar kundër pavarësisë së Kosovës.

Dacic në vizitën lamtumirëse të ambasadorit të Meksikës në Beograd, Marco Antonio Garcia Blanco, falënderoi atë që shteti që përfaqëson nuk e njeh dhe vazhdon të mos e njeh Kosovën si shtet i pavarur.

Po ashtu Dacic i tha ambasadorit meksikan se shteti i tij është shumë serioz kur bëhet fjalë për respektimin e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe për mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë.

Kujtojmë se Serbia dhe kryediplomati Dacic kanë bërë një fushatë të egër tash e disa vite kundër Kosovës, jo vetëm kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës, po edhe kundër pranimit në organizatat ndërkombëtare dhe në shumë gjëra të tjera.

Ndryshe, emisari i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, kishte thënë disa herë se Serbia do ta ndalë fushatën kundër pavarësisë së Kosovës për t’u mbajtur një takim në Shtëpinë e Bardhë me përfaqësuesit e dy shteteve më 27 qershor.

Grenell madje tha se ka zotimin e Qeverisë së Serbisë për të ndalur përkohësisht fushatën e çnjohjeve, mirëpo duket se kjo nuk po respektohet nga shefi i diplomacisë serbe, sikurse me Meksikën kishte vepruar edhe me Algjerinë që e falënderoi për mosnjohjen e Kosovës.