Shuhen shpresat e Arsenalit, Brendan Rodgers rinovon kontratën me Leicesterin

Leicester City ka njoftuar se Brendan Rodgers ka nënshkruar kontratë të re prej pesë vjet e gjysmë me klubin nga “King Power Stadium”.

Kontrata e re u jep fund edhe spekulimeve që e lidhnin irlandezin me postin e trajnerit të Arsenalit.

46-vjeçari më parë ishte i lidhur me Leicesterin deri në vitin 2022, mirëpo paraqitjet mbresëlënëse të skuadrës në këtë edicion e kanë bindur klubin që t’ia vazhdojë dhe përmirësojë kontratën.

Sipas “The Transfer Window”, Rodgers tash do të përfitojë dyfishin e pagës së deritanishme, gjegjësisht 10 milionë funte (12 milionë euro) për sezon.

Ai mori drejtimin e ‘Foxes’ në shkurt të këtij viti duke u larguar nga Celticu, ndërsa e përmirësoi dukshëm skuadrën për një periudhë shumë të shkurtër.