Haxhiu: Nga 21 tetori, Albin Kurti do të ketë 10 ditë ultimatum nga QUINT-i

Publicisti Baton Haxhiu ka thënë se vendet e QUINT-it – ShBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – do të dërgojnë delegacione në Prishtinë dhe në Beograd në fund të kësaj jave.

Derisa po komentonte zhvillimet e fundit politike në rajon, në televizionin Euronews Albania, Haxhiu tha se e ka një informatë “ekskluzive”.

Gazetari Haxhiu tha se vendet e QUINT-it do t’i vendosin ultimatum Kurtit dhe Vuçiqit që brenda 10 apo 12 ditëve të ardhshme të vendosin nëse do ta pranojnë marrëveshjen në formën ‘merre ose leje’.

“Më 21 tetor vendet e QUINT-it do të shkojnë në Prishtinë. Më 21 tetor do të ketë një afat prej 10 deri në 12 ditë që Kurti… dhe më pastaj do të shkojnë në Beograd te Vuçiq, do të kenë kohë të vendosin vetëm me ‘Po’ ose ‘Jo’. Vendet e QUINT-it do të shkojnë në takimet në Prishtinë dhe Beograd edhe me Lajçak, por ai vetëm formalisht do të jetë aty, sepse dihet që ai s’ka më fuqi”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu e kritikoi Kurtin, për të cilin tha se është lideri “me më së paku përmbajtje” që ka pasur Kosova.