Haxhiu: Reagimi i Prokurorit të Shtetit ndaj ministrit Sveçla, i ngjashëm me atë të Beogradit

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu i ka quajtur të papranueshme deklarimet e Prokurorit të Shtetit në adresë të ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla në lidhje me aksionin e sotëm policor “Brezovica” në Shtërpce.

Në një postim në Facebook, Haxhiu shkruan se deklarimet e Sveçlës nuk janë ndërhyrje në punën e prokurorisë, por sipas saj punën e prokurorisë e kanë penguar ndërhyrjet e shumta në sistem si pasojë e të cilave nuk ka pasur veprime serioze në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar.

“Zyra e Prokurorit të shtetit, nuk reagoi ndaj Vuçiqit e Petkoviçit të cilët tërë ditën thanë se arrestimet në Shtërpcë janë politike, por në mbrëmje Prokurori i shtetit reagoi ndaj një statusi të Ministrit Sveçla duke e akuzuar se po përzihet në punët e prokurorisë dhe po i jep ngjyrim politik zhvillimeve të sotme”.

“Shtrohet pyetja se ku ishte prokuroria deri sot? Pse nuk vepruan më herët por vetëm pasi u dëmtua një pjesë e madhe e Brezovicës? Pse nuk vepruan më herët kur ish zyrtarë të lartë duke nisur nga ish presidentë, ish kryeministra e ish ministra dhe udhëheqës të institucioneve shumë të rëndësishme në vend ndërtuan vila në Brezovicë?”, shkruan Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë thotë se Qeveria ka të drejtën që të përshëndes luftën kundër krimit.

“Qeveria jonë i ka hapur rrugën zbatimit të ligjit dhe e ka të drejtën e plotë legjitime që të përshëndes secilin veprim kundrejt krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

“Këto nuk janë ndërhyrje. Punën e prokurorisë e kanë penguar ndërhyrjet e shumta në sistem si pasojë e të cilave nuk ka pasur veprime serioze në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar”, ka shkruar tutje Haxhiu.

Prokurori i Shtetit ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, duke thënë se aksionin e sotëm me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj në Shtërpce e më gjerë, po mundohet t’i jep karakter politik.

“Hetimi dhe ndjekja e rasteve penale nuk është punë e Ministrisë së Punëve të Brendshme e as e sektorëve tjerë qeveritar, por është kompetencë ekskluzive e Prokurorit të Shtetit. Hetimet dhe rastet penale nuk kanë konotacion politik dhe nuk duhet të komentohen nga organet politike”, thuhet në reagim.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se në aksionin “Brezovica” janë arrestuar 10 persona nën dyshimin për vepra penale si keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit. Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, për të cilin Prokuroria po dyshon se ka përfituar 1 milion euro nga dhënia e lejeve për ndërtim të vilave në zonën e Brezovicës. Për këtë rast janë bastisur 10 lokacione në regjionin e Ferizajt, Prishtinës dhe në Shtërpcë, ku janë sekuestruar para, armë, vetura si dhe disa dokumentacione.

Pas kësaj ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, i cili tha se lufta kundër krimit do të shtrihet në të gjitha pjesët e Kosovës.