Haxhiu: VV-ja partia më demokratike në Kosovë, s’do t’i ndalim aksionet në mbrojtje të grave

Kryetarja e organizatës “Gratë Për Vetëvendosje”, njëherësh ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e konsideron Lëvizjen Vetëvendosje si partinë më demokratike në Kosovë, ndërsa thotë se ky subjekt angazhohet më së shumti për gratë në vend.

Këtë e ka bërë të ditur në konferencën e organizuar të mërkurën, teksa dha një kronologji të aktiviteteve që kanë mbajtur në muajin shkurt me gratë.

Ajo tha se synimi i këtyre aktiviteteve është që të kenë barazinë dhe drejtësinë, raporton Ekonomia Online.

“E kemi më të lehtë sepse Kosova e ka një qeverisje progresive që po angazhohet për të drejtat e grave, siç është e drejta në trashëgimi, pronë, punësim, bursa dhe në adresimin e dhunës në familje. Ne si gra jemi bashkë dhe bashkë do të adresojmë problemet e grave në Kosovë. I bëj thirrje vajzave të na bashkohen në rrugëtimin tonë për barazi gjinore dhe drejtësi”, tha ajo.

Ndonëse janë në Qeveri, ministrja e Drejtësisë thotë se nuk do t’i ndalin aksionet në mbrojtje të grave. Me këtë rast, tha se VV-ja angazhohet më shumë në mbrojtje të tyre.

“Ne pavarësisht që jemi në qeveri nuk i kemi ndal aksionet, në këtë drejtim edhe aksionet nuk do të ndalen. Siç e dini gjendja e grave ne Kosovë nuk është e mirë, prandaj edhe na duhet punë më e madhe në këtë drejtim. Prandaj po ftesa vlen edhe për anëtaret e tjera të partive. Nuk ka subjekt politikë sikur se VV-ja që angazhohet për gratë”, tha ajo.

E aktivistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Rina Zhitia, tha se me ardhjen e Pranverës, sjellë sipas saj edhe barazinë te gratë.

“Organizata “Gratë Për Vetëvendosje” fillon sot muajin e gruas. Që për qëllim ka njohjen e angazhimit dhe kontributit të grave për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Do të ketë aktivitet të ndryshme që do të shtrojnë diskutimin mbi çështjet gjinore. Si gra duhet të bashkohemi e të angazhohemi. Marsi sjellë pranverën, gratë sjellë barazinë”, tha ajo.