Kurti për kompensimin e karburanteve: I padrejtë piketimi i ndonjë deputeti, për një vendim të vitit 2011

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qytetarët kanë të drejtë të indinjohen me deputetët, të cilët u kompensuan për shpenzimet e udhëtimeve, për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.

Kurti, në një konferencë për media, tha që megjithatë nuk është i drejtë “piketimi i ndonjë deputeti për një vendim të vitit 2011”.

“Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, tashmë ka dhënë njoftim për këtë çështje, duke njoftuar që deputetët tanë të tërhiqen vullnetarisht nga një kompensim i tillë dhe poashtu ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit të rishikohet kjo rregullore. E kuptoj indinjimin e qytetarëve për këto shpenzime, por në të njëjtën kohë është i padrejtë piketimi i ndonjë deputeti të veçantë, për një vendim të vitit 2011. Është detyrë e secilit në vend e sidomos e personave të zgjedhur, ta ruajnë kuletën e shtetit”.

Tutje Kurti ka thënë që si qeveri e kanë bërë këtë me vendimin duke i ulur pagat për kabinetin qeveritar.

“Ne kemi ulur shpenzimet, pikërisht atëherë kur janë rritur të ardhurat, si në Doganë, ATK e në investime të huaja”, tha ai.