Haziri i ashpër me qeveritarët: U çuan në këmbë për Sanduloviqin, jo edhe për arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka kritikuar qeveritarë e deputetë të LVV-së që i dolën në mbrojtje politikanit serb Nikola Sanduloviq, por të njëjtit nuk reaguan për arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së në Serbi.

Haziri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Nuk është i ri fenomeni i rrahjeve brutale, burgosjes e poshtërimit për motive politike në Serbi. Ata që rrezikojnë pushtetin njëmend, i vrasin”.

“Ne e kemi provuar me lëkurën tonë këtë, por risia është që krejt VV janë çu në këmbë me reagime e solidaritet me të, por nuk pati shumë reagime për arrestimin e ushtarit të UÇK-së”, ka shkruar Haziri, transmeton Telegrafi.

“Kryeministria, ministra, deputetë, madje edhe RTK, u bënë mbrojtësit më të mëdhenj të Nikola Sandulovic (apo Dimitrije Tucovic i Albin Kurtit të VV-së), por jo edhe RTK2. Reaguan kinse në mbrojtje, por sa herë e përmendin këta të VV-së, ata e rrahin edhe më keq!”, ka shkruar Haziri, i cili në fund të postimit besimtarëve ortodoksë ua ka uruar Krishtlindjen.