Haziri: S’jemi marrë vesh që Mustafa të jetë kandidat konsensual, tregon katër emrat që pritet të garojnë!

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka deklaruar se LDK-ja ende s’ka marrë vendim të prerë rreth një kandidati konsensual, ashtu siç u raportua për Isa Mustafën.

Sipas tij, në kuvendin zgjedhor të së shtunës (3 gusht) janë përmendur si opsion që do të dalin 5 kandidat.

“LDK është duke punuar. Kemi vendos që konsultimet t’i bëjmë edhe nesër. Fokusi ka qenë për përgatitje sa më të mirë edhe arritjen e një marrëveshje konsensuale për një kandidat që do të jetë të shtunën. Nuk ka marrëveshje ende e cila i vendos kapak kësaj çështje. Janë përmend edhe kandidat tjetër, Fatmir Sejdiu, Vjosa Osmani, Agim Veliu apo edhe emri im. Nëse nuk ka marrëveshje nuk kandidoj”, është shprehur ai për Klan Kosova.

Ndryshe, dy ditë para Kuvendit të këtij subkjekti, kryesia nuk ka arritur të vendosë nëse do të nominojë një figurë tjetër për pozitën e kryeministrit.

Një gjë e tillë mbetet për t’u diskutuar në takimin e nesërm që planifikon ta zhvillojë Kryesia e ngushtë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.