Hidhet mjet piroteknik në stacionin e Policisë në veri të Mitrovicës

Një mjet piroteknik është hedhur të dielën në mbrëmje në oborrin e stacionit të Policisë në veri të Mitrovicës

Lajmi për Tëvë 1 është konfirmuar nga Policia e Kosovës.

Veton Elshani zëvendësdrejtor i Policisë në veri të Kosovës, tha për televizionin se një mjet prioteknik është hedhur.

Ai ka bërë të ditur se nuk ka të lënduar.

Në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me serbë, rastet e sulmeve ndaj institucioneve të Kosovës nuk janë të rralla.

Sulme dhe hedhje e mjeteve shpërthyese ka pasur sidomos gjatë muajve maj e qershor të vitit të kaluar.

Ndonëse nga atëherë situata në këtë pjesë të Kosovës ka qenë më e qetë, ka pasur hedhje të mjeteve shpërthyese edhe gjatë muajit nëntor, afër qendrave të regjistrimit të veturave, ku numër i madh i serbëve në veri kanë konvertuar targat ilegale të Serbisë në ato RKS.