Sot takimi në Ambasadën amerikane, kryetemë Asociacioni

Sot, Ambasada amerikane do të jetë nikoqire e takimit në diskutimin për Asociacionin me shumicë serbe.

Të ftuar të ambasadorit amerikan Jeff Hovenier janë përfaqësues të Ekzekutivit, partive politike, organizatave jo qeveritare e medieve.

Zyra e Kryeministrit në këtë takim do të përfaqësohet nga shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi. Zyra e Kryeparlamentarit nga shefi i stafit të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Ilir Kërqeli. Përderisa, nuk dihet se kush do ta përfaqësojë Presidencën në këtë diskutim.

Pjesëmarrjen gjithashtu e kanë konfirmuar zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi, e ministri për komunitete dhe kthim, Nenad Rashiq.

Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe Gabriel Escobar, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, pohuan se koha për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë është tani.

Sipas tyre, duke punuar për themelimin e Asociacionit “Kosova do të realizojë një element kritik të nevojshëm për të ndërtuar të ardhmen e saj të drejtë si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur, i integruar në strukturat euroatlantike”.