Hije të forta dyshimi mbi mëditjet mujore që morën ish-Rektori Marjan Dema e Dekani Et’hem Çeku

Që nga muaji nëntor i vitit 2016 e deri në përfundim të mandatit të tij katër vjeçar si rektor i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demës jo rrallë herë i ka rënë të përfitojë nga 590 euro në muaj në formë të mëditjeve.

Këto mëditje Dema i përfitoi në kuadër të realizimit të programit “Avancimi dhe Kualifikimi i Mësimdhënësve” (AKM), të cilin e udhëhiqte në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues të programit. Në këtë pozitë të favorshme ishte caktuar më 21 nëntor, bazuar në një memorandum bashkëpunimi të UP-së me Ministrinë e Arsimit (MAShT).

Përveç tij, në Këshillin Drejtues të programit AKM ishin caktuar anëtarë, ndër të tjera, edhe bashkëpunëtorët e afërt të tij: Sekretari i Përgjithshëm, Esat Kelmendi, Dekani i Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku e Prorektorja për Buxhet dhe Financa, Myrvete Badivuku. Këshillin e përbënin tre anëtarë të tjerë të UP-së dhe tre po ashtu nga MAShT-i.

Për dallim nga ish-rektori Dema, anëtarët e Këshillit Drejtues të AKM-së merrnin kompensim mujor prej 490 eurove në muaj.

Megjithatë, hije të forta dyshimi janë hedhur mbi ligjshmërinë e këtyre mëditjeve, në një raport të Zyrës Kombëtare të Auditimit të publikuar të hënën.

Auditori Gjeneral, në raportin e Auditimit për UP-në, ka vënë në dukje se procesi i kompensimit mujor të pagës për anëtarët e Këshillit Drejtues të programit është përcjell me dyshime për keqpërdorime dhe shkelje të vendimeve në fuqi të Këshillit Drejtues të UP-së.

Konkretisht, Auditori thekson se Këshilli Drejtues i Programit AKM nuk e ka dëshmuar me fakte se punët në program i ka kryer jashtë orarit të rregullt të punës të cilin anëtarët e saj e kishin në UP.

“Me vendim nr. 690 të datës 18.04.2016, Kryetari i Këshillit13 Drejtues të AKM-së kishte caktuar norma mujore për kompensime për anëtarët e Këshillit Drejtues të AKM-së si dhe stafin tjetër administrativë (8 zyrtarë). Vlera e kompensimit ishte 590€, për Kryesuesin e KD, për anëtarët 490€ në muaj si dhe për stafin administrativ të cilat varirojnë nga 80€-300€, në muaj”, thuhet në raport, raporton Gazeta Insajderi.

Raporti i Auditorit të Përgjithshëm sugjeron se kryetari i Këshillit Drejtues të AMK-së dhe anëtarët e tij, ishin kompensuar çdo muaj mbi pagën bazë të tyre.

“Ne kemi vërejtur se KD i AKM-së dhe stafi administrativ ishte kompensuar çdo muaj, përderisa nuk na janë ofruar dëshmi për të konfirmuar se të njëjtit kishin kryer punë shtesë jashtë orarit të rregullt të punë”, pohon raporti i ZKA-së.

Në fund të raportit, Auditori ngrit shqetësim se kompensimet e këtij këshilli dhe të stafit administrativ të tij, në mungesë të dëshmive për të konfirmuar se janë kryer punë shtesë jashtë orarit “ndikon që buxheti i UP-së të shpenzohet jo siç duhet”.

Zyra Kombëtare e Auditorit ka thënë se në raste kur nuk ka dëshmi se të punësuarit kanë kryer punë jashtë orarit të rregullt të punës, “kompensimet mos të bëhen dhe të ndërpriten menjëherë”.