Hoti për 100 ditëshin e Qeverisë: Kurti mashtroi në temat kryesore

Ish-kryeministri i vendit Avdullah Hoti, ka thënë në Rubikon me Adriatik Kelmendi, se 100 ditshi i parë i punës së Qeverisë Kurti ishte reflektim i popullizmit dhe mashtrimit që Lëvizja Vetëvendosje e ka proklamuar ndër vite.

”Pamë ato të cilat shumë nga ne i kemi pritur, sepse kur e tërë kauza politike për të marrë mbështetje qytetare për vite me radhë, jo vetëm në zgjedhjet e fundit, bazohet në popullizma të cilat nuk çojnë askund përveçse krijojnë një perceptim të caktuar, por që nuk bazohen në realitet dhe nuk kanë vizion afatgjatë, atëherë është vetëm reflektim ose shpalosje e mashtrimeve publike që janë bërë në shumicën prej fushave dhe tash kur janë në qeverisje po përballen me ato.”

Ish-shefi i ekzekutivit tha se Kurti pasi erdhi në pushtet ndryshoi qëndrim për temat kryesore të vendit, duke përfshirë dialogun me Serbinë.

”Mashtroi në temat kryesore, në temën e dialogut ta zëmë, qëndrimi i tij vazhdimisht ka qenë se nuk e fillojmë dialogun pa kërkim falje, ka qenë se në javët e para të qeverisë së tij do të vendoset reciprociteti dhe asnjërën nga këto nuk i kemi. Pra ata ndërtuan një narrativë, por tash kur janë në qeverisje të vendit nuk e përcjellin atë rrugë, nuk i përmbushin ato premtime apo zotime që i kanë dhënë para qytetarëve”, tha Hoti në Rubikon, shkruan Klan Kosova.

Sipas Hotit, Kurti në Bruksel nuk e diskutoi temën kryesore të dialogut që është njohja reciproke.

”Pavarësisht dallimeve që i kemi të gjithë pajtohemi që procesi i dialogut duhet të bëhet për njohje reciproke, por ky (Kurti) nuk e shtroi këtë temë, por erdhi me ide për marrëveshje të modelit të Lihtenshtajnit e Norvegjisë më Bashkimin Evropian, kjo nuk na hynë në punë, neve na duhet qartësi e plotë për dialogut, ashtu siç kemi bërë ne”.