Hoti për sulmin ndaj infermierëve: Sulmet ndaj heronjve të kohës janë të turpshme dhe të pa pranueshme

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, e ka dënuar sulmin e mbrëmshëm ndaj tre infermierëve në Shërbimin e Urgjencës në Prizren.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se ky është një gjest i shëmtuar.

Postimi i plotë:

Ngjarja e mbrëmshme në Urgjencën e Spitalit të Prizrenit, ku familjarët kanë sulmuar fizikisht infermierët në detyrë është gjest i shëmtuar ndaj atyre që punojnë për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve, përfshirë edhe të atyre që i kanë sulmuar.

Mjekët, infermierët dhe tërë personeli mjekësor e mbështetës, gjatë këtyre muajve sa po përballemi me pandeminë Covid-19, kanë dëshmuar përkushtim të lartë që duhet vlerësuar, e jo sulmuar. Sulmet ndaj heronjve të kohës janë të turpshme dhe të pa pranueshme.

E dënoj këtë sulm dhe çdo sjellje të pa dinjitetshme, e cila rrezikon integritetin fizik të personelit mjekësor. I ftoj organet e rendit që të vihen në mbrojtje të mantelbardhëve, ndërsa organet e drejtësisë që ta kryejnë detyrën e tyre shpejt.