Hoti: Qeveria do të ndajë një fond për familjet e prekura nga vërshimet

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka deklaruar se Qeveria do të ndajë një fond për t’u dalë në ndihmë familjeve të prekura nga vërshimet.

Hoti, ka vizituar sot komunën e Vushtrrisë për t’u njoftuar nga afër me dëmet të cilat i kanë shkaktuar kësaj komune reshjet atmosferike të ditëve të fundit.

Hoti me këtë rast tha se fondi pritet të ndahet në bazë të kapaciteteve që ka Qeveria e Kosovës.

“Në Qeveri do të ndajmë një fond në bazë të mundësive që t’u ndihmojmë familjeve në nevojë nga vërshimet. Ne jemi në tërën çdo ditë, jam takuar me kryetarët e komunave që kanë dalë në teren”, shtoi Hoti.

Hoti edhe një herë ka përgëzuar FSK-në, Agjencinë e Emergjencave dhe Shtabet Lokale të cilat pandërprerë janë në terren në mbikëqyrje të situatës dhe ofrim të ndihmës për qytetarët dhe familjet e prekura nga vërshimet.

Kosova u përballë me vërshime të shumta gjatë ditëve që lamë pas si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, që shkaktuan edhe dëme ekonomike në familje të ndryshme.