Hoti shpërblen me sete librash nxënësit fitues të Istogut (FOTO)

Rexhep Hoti, Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, u ka dhuruar 167 sete librash nxënësve fitues të garës Nacionale në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik dhe garës Nacionale të Diturisë në Komunën e Istogut.

Me këtë rast Koordinatori Hoti theksoi rëndësinë e garës dhe foli për organizimin e garës në komunën e Istogut dhe tha se sukseset e nxënësve të kësaj komune janë rezultat i punës së vazhdueshme të tyre dhe personelit arsimor.

“Për herë të parë në Kosovë ne kemi shpallur 44,723 fitues në të gjitha nivelet e garës, prej një procesi garues nëpër të gjitha shkollat e vendit. Shpërblimet e fituesve të secilit nivel janë realizuar ashtu siç u kemi premtuar nxënësve sepse ne nuk kemi asgjë më të shtrenjtë sesa nxënësit. Sot kam kënaqësinë dhe jam jashtëzakonisht i lumtur që ju dhuroj librat si shpërblim të mundit tuaj. Suksesi juaj dëshmon se me vullnet dhe punë ne jemi të pandalshëm në arritjen e rezultateve të mira”, tha Koordinatori Hoti.

Gjatë shpërndarjes së librave, Hoti ishte i shoqëruar nga Drejtori Komunal i Arsimit, Hajrush Shoshi, i cili e falënderoi Hotin për shpërblimet dhe tha se ky është motiv për nxënësit.

Nxënësit fitues u ndanë të kënaqur me shpërblimet ndërsa treguan edhe për përgatitjet që kanë bërë për garat. Komuna e Istogut ka pasur 1072 nxënës fitues në të gjitha nivelet e garës nacionale në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik si dhe në Dituri. 15 në nivelin republikan, 115 në nivelin komunal dhe 942 fitues në nivelin shkollor të garës.

Ceremonia e shpërndarjes së librave u zhvillua në Shkollën e Mesme të Ulët “Bajram Curri” në Istog ku përveç zyrtarëve institucionalë, mësimdhënësve e nxënësve, të pranishëm ishin edhe prindërit.