Hoxhaj: Aty ku me dekada Serbia ishte e izoluar, Qeveria Kurti ia hapi dyert në tërë botën

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova nuk është mjaftueshëm prezente në politikën e jashtme.

Ai ka deklaruar se Kosova është duke u kërcënuar për heqjen e liberalizimit të vizave për shkak të politikës së jashtme jo të duhur të Qeverisë Kurti.

“Nga Evropa në Amerikë, e nga Azia në Amerikën Latine, Kosova asnjëherë nuk ka qenë me kaq pak prezencë në marrëdhëniet ndërkombëtare prej vitit 1989, sesa si tash me qeverinë Kurti! Politikës së jashtme së Kosovës i është shuar vullneti dhe tharë energjia e mbrojtjes së interesit shtetëror”.

“Aty ku me dekada Serbia ishte e izoluar, me qeverinë Kurti, i janë hapur dyert në tërë botën, sikurse asocimi i shpejt i Serbisë në ASEAN, organizatën më të madhe në Azi! Natyrisht, këtu për tërheqjet e njohjeve nga Azia, se as që mund të bëhet fjalë për të marrë njohje të reja! Si e sheh Evropa Kosovën, nuk tregojnë recitimet në Forumet Alpbach dhe Bled, por kërcënimet për heqjen e liberalizimit të vizave nga Parisi dhe Berlini!”, ka thënë Hoxhaj.