Hoxhaj: Cila do të jetë dhurata e radhës për Serbinë, Albin?

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar për marrëveshjen që Kosova e ka arritur me shtetet e rajonit për lëvizje vetëm me letërnjoftim. Sipas tij, kjo është dhurata e parë që kryeministri Albin Kurti ia bëri Serbisë, raporton Express.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoxhaj e ka pyetur Kurtin se cila do të jetë dhurata e radhës për Serbinë.

“Makro-Shengen shqiptar, që do të bënte të mundur bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Shqipërisë me shpejtësi të re – premtonte Albin Kurti në fushatë. Sot, si kryeministër, Shqipëria është më larg se kurrë, raportet më të ftohura se asnjëherë më parë, ndërsa energjitë, vizionin dhe Qeverinë e ka vënë në funksion të krijimit të Jugosllavisë së Re duke e bërë Kosovën pjesë të Minishengenit.

Gjashtë shtete – një vizë, apo Jugosllavia e Re, është dhurata dhe lëshimi i parë që Albin Kurti ia bëri Serbisë. E kam pritur dezertimin e Kurtit, por jo kaq shpejtë dhe jo kaq paturpësisht. Cila do të jetë dhurata e radhës për Serbinë, Albin?”, ka shkruar Hoxhaj.