Transparenca e partive për paratë e fushatave pamundësohet nga ligji dhe vullneti politik

Me mungesë të transparencës lidhur me financat publike pritet që të karakterizohen zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Kjo, për shkak se edhe legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës ka dështuar që të ndryshojë Ligjin për Financimin e Partive Politike.

E sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, një gjë e tillë është bërë për shkak të interesit të partive që të mos deklarojnë të ardhurat e tyre, sidomos gjatë kohës së fushatës, raporton KTV.

Agnesa Haxhiu, nga Instituti Demokratik i Kosovës, beson se me ndryshimet e propozuara do të bëhej e ditur se kush janë donatorët që përkrahin partitë.

Kurse, Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, thotë se deklarimi i financave publike do të ishte i lehtë në rast se do të kishte vullnet politik.

Por, sipas Haxhiut e Demhasajt, shumica e partive politike nuk janë të interesuara për një rregullim të tillë.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kërkuan nga Qeveria që të tërheqë mbrapa Projektligjin për plotësim/ndryshimin e Financave të Partive Politike. E gjithë kjo, për shkak të ndërhyrjeve nga grupet punuese ne Kuvend e të cilat janë kontestuar nga Zyra e BE-së dhe shoqëria civile në Kosovë.