Hoxhaj: Intervenimi i policisë është bërë konform obligimeve ligjore dhe kushtetuese të vendit tonë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj deklaroi se intervenimi i policisë është bërë absolutisht konform obligimeve ligjore dhe kushtetuese të vendit tonë.

Hoxhaj ka folur për ngjarjet e së hënës dhe arrestimin e Marko Gjuriq-it në Kosovë. Ai tha se Gjuriq është arrestuar për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, duke hyrë në Kosovë në mënyrë ilegale.

“Qeveria e Kosovës ka për detyrë ta mbrojë rendin kushtetues dhe çdokush që hyn në Kosovë ilegalisht do të merren masa ndaj tyre. Në këtë frymë është bërë edhe arrestimi i Marko Gjuriq”, ka thënë Hoxhaj në emisionin “Zona B” të Klan Kosovës.
Hoxhaj ka përmendur paraqitje të mëhershme të Gjuriq në mediat serbe, ku i njëjti ka deklaruar se vetëm vitin e kaluar ka hyrë në Kosovë fshehtazi pesë ose gjashtë herë.
Hoxhaj i ka dalë në mbrojtje aksionit të policisë së Kosovës, ndërsa i ka vlerësuar të papranueshme deklaratat e Vuçiq-it dhe Gjuriq-it kundër policisë, ku Hoxhaj tha se është multi etnike dhe nga organet ndërkombëtare është vlerësuar më profesionalja në rajon.
Hoxhaj ka thënë se kërcënimi i Vuçiqit për ta dërguar ushtrinë në Kosovë pasqyron bisedën e tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
“Deklarata e Vuçiq-it e pasqyron bisedën e tij me Vladimir Putin. Vuçiq nuk është Zoran Djindjic, nuk është evropian dhe as pro-evropian, por është i njëjti Vuçiq që ka qenë në vitet e 90-ta kur i ka shërbyer Millosheviqit. Nëse ai në ditën e njëjtë kur janë përjashtuar numër i madh diplomatësh rusë nëpër botë, ka zgjedhur ta thërrasë për ndihmë Putinin, atëherë për çfarë po flasim këtu”, ka theksuar Hoxhaj.
“Një telefonatë mes Vuciq-it dhe Putin-it ka mobilizuar edhe disa persona të caktuar në veri të Kosovës. Kjo është e njëjta ngjarje sikurse më herët, kur disa persona serbë nga veriu i Kosovës kanë marrë pjesë në tentim puçin në Mal të Zi”, shprehet Hoxhaj.
Hoxhaj ka folur për ngjarjet e së hënës dhe arrestimin e Marko Gjuriq në Kosovë. Hoxhaj tha se Gjuriq është arrestuar për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, duke hyrë në Kosovë në mënyrë ilegale.