Hoxhaj: Krijimi i qeverisë së re e drejtë kushtetuese dhe domosdoshmëri për vendin, çdo variant tjetër është abuzim me pushtetin

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se krijimi i një qeverie të re është e drejtë kushtetuese dhe domosdoshmëri politike për vendin.

Sipas tij, çdo variant tjetër është abuzim me pushtetin, Kushtetutën dhe interesat e qytetarëve.

“Tashmë dihet se PDK nuk do të pranojë të bëhet pjesë e qeverisë së re. Por kjo s’do të thotë se Kosova duhet të mbetet pa qeveri, sidomos sot, në kohë pandemie. Krijimi i qeverisë së re, sa është e drejtë kushtetuese, poashtu është edhe domosdoshmëri politike për vendin dhe çdo variant tjetër është abuzim me pushtetin, Kushtetutën dhe interesat e qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Më tej, deputeti i PDK-së ka thënë se krijimi i një shumice të re parlamentare dhe vullneti politik i partive për qeveri të re, janë të ligjshme dhe kushtetuese.

“Të gjithë duhet ta dimë se shkuarja në zgjedhje në këtë rast nuk mund të bëhet me ndonjë automatizëm të procesit politik. Prandaj, krijimi i një shumice të re parlamentare dhe vullneti politik i partive për qeveri të re, janë të ligjshme dhe kushtetuese. Në rrethanat aktuale politike dhe të shëndetit publik në Kosovë, nuk mund të ketë zgjedhje të reja. Të paktën jo në afat të shkurtër kohor. Kështu që qeveria e re del si pashmangshmëri dhe domosdoshmëri. Sepse, nëse partia e parë nuk mund të bëjë shumicën parlamentare dhe të krijojë qeverinë, nuk duhet të hyjmë në amulli”, ka shkruar ndër të tjera Hoxhaj.