Këshilltari i Thaçit: Kurti përmes BE-së po kërkon Status-Quo për t’iu shmangur presionit amerikan

Këshilltari politik i presidentit Thaçi, Adil Behramaj, ka reaguar ndaj intervistës së ekspertit gjerman, Bodo Weber, i cili sot sulmoi indirekt presidentin Thaçi dhe ambasadorin Grenell.

Këshilltari i Thaçit ka thënë se presidenti i ka vlerësuar negociatat e Brukselit, sepse ka qenë vetë protagonist, por BE-ja plot një dekadë nuk ishte në gjendje t’u japë atyre një epilog përfundimtar dhe prandaj po kërkohet përfshirja e SHBA-së në këtë proces.

Behramaj ka thënë se Kosova që 12 vjet është shtet dhe BE-ja nuk ka qenë në gjendje t’i bindë as pesë shtetet e saj mosnjohëse, që ta njohin Kosovën, se lëre më Serbinë.

Sipas tij, një dialog pa njohje nga Serbia, me këtë BE që nuk është në gjendje t’i përmbushë as premtimet e veta dhe padrejtësisht na mban ende të izoluar, për Kosovën nuk ka më as kuptim.

“Po aq dëm sa i bën Kosovës një Qeveri që di të prodhojë vetëm tensione politike dhe shfaqje publike, por nuk di të qeverisë, po aq po i bëjnë edhe disa forca evropiane, që u përshtatet Status Quo-ja në rajon dhe përmes analistëve të tyre po i konfuzojnë qytetarët tanë”, ka shkruajtur Behramaj.

“Eksperti gjerman, Bodo Weber, me ekspertizën e tij në stilin “nëse nuk gabohem”, paska thënë që presidenti Thaçi i ka shpallur të vdekura negociatat e drejtuara nga Brukseli”, ka nënvizuar ai.

“Në fakt, presidenti i ka vlerësuar negociatat e Brukselit, sepse ka qenë vetë protagonist. Por, pasi që BE-ja nuk ishte në gjendje t’u japë atyre plot një dekadë epilog përfundimtar, presidenti po e kërkon përfshirjen e SHBA-së në këtë proces, pa të cilën as BE-ja e shkapërderdhur më nuk mund të bëj asgjë. Kosova që 12 vjet është shtet dhe BE-ja nuk ka qenë në gjendje t’i bindë as pesë shtetet e saj mosnjohëse, që ta njohin Kosovën, se lëre më Serbinë. Dhe, një dialog pa njohje nga Serbia, me këtë BE që nuk është në gjendje t’i përmbushë as premtimet e veta dhe padrejtësisht na mban ende të izoluar, për Kosovën nuk ka më as kuptim. Nëse për BE-në, për ndonjë shtet të saj apo ndonjë politikan tonë është e rëndësishme blerja e kohës, për Kosovën është e rëndësishme të mos humb më kohë. Edhe kjo politika e pjesshme për heqjen e tarifës është vetëm sa për të blerë kohë, në një vijë me BE-në, në përpjekje për ta vonuar sa më shumë marrëveshjen përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë, me SHBA-në si sponsore dhe garantuese të saj”, ka shkruar Behramaj.