Hoxhaj: Qeveria ka prishur konsensusin e brendshëm për dialogun dhe atë ndërkombëtar për Kosovën

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, e ka akuzuar Qeverinë aktuale për prishje të konsensusit të brendshëm për dialogun, si dhe konsensusin ndërkombëtar për Kosovën.

Në konferencën për media të mbajtur pas mbledhjes, Hoxhaj ka thënë se qeveria aktuale nuk ka vizion politik.

“Unë mendoj që Kuvendi i Kosovës duhet ta përmbush mandatin. Kjo shumicë nuk ka vizion politik. Ne mendojmë që kjo shumicë parlamentare më së paku përfaqëson interesat e shumicës. Ajo që ka ndodhur më 24 shtator është fitore e madhe e shtetit dhe Policisë së Kosovës. Është një ngjarje që e bën dallimin se çfarë ka qenë para 24 shtatorit e çfarë edhe tash. Duhet ta përdorim 24 shtatorin ku ne u themi partnerëve tanë që marrëveshja pa njohje finale e zgjidh problemin është e padrejtë. Ajo që ka ndodhur më 24 shtator po tregohet që Serbia ka një opsion ushtarak në tavolinë”, ka thënë ai.

Teksa ka folur për 24 shtatorin, Hoxhaj ka thënë se Bashkimi Evropian po fshihet dhe nuk po tregon se si e sheh atë që ka ndodhur para tri javësh.

“Borrelli dhe Lajçaku janë mbyllur tash e tri javë. Nuk dalin në media të tregojnë se çfarë kërkojnë. BE-ja po fshihet. Përveç një tweeti nuk thotë se si e sheh atë që ka ndodhë më 24 shtator. Ne nuk duhet ta kalojmë 24 shtatorin sikur s’ka ndodhur asgjë, këtu pajtohemi me kolegët në Qeveri. Për të vendosur sanksione pas 24 shtatorit, partnerët ndërkombëtarë kanë mjaftueshëm dëshmi pa hetim. Ne jemi të shqetësuar se kjo situatë ka mundur të përdoret, ky është momenti i dytë pas luftës në Ukrainë për t’i mbyllur disa tema të mëdha. Kam frikën që sekondat po kalojnë, koha po kalon”, ka thënë ai.