Hoxhaj: VV është mjegulla, ata fshehin historinë e tyre – ne jemi qartësia dhe drita e re

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se ky subjekt është krenar me ish liderët e saj, Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin, të cilët janë në Hagë.

“Ne jemi krenar me liderët tanë, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, ne jemi krenar me luftën tonë. Në tërë vendin është duke u parë që është rikthyer PDK-ja, zëri ynë është duke u dëgjuar edhe Hagë, të gjithë janë duke e parë që jemi duke qëndruar bashkë përkrah historisë sonë. Heronjtë tanë, Veseli dhe Thaçi, do të kthehen në Kosovë, historia e vendit e ka treguar se do të dëshmohet pafajësia”.

Hoxhaj gjatë fushatës përmbyllëse në Prishtinë ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e fshinë historinë e saj duke hequr të gjitha ato që kanë thënë dhe bërë deri në vitin 2014.

“Vetëvendosje po fshinë historinë e saj duke hequr të gjitha ato që kanë thënë dhe bërë deri në vitin 2014. LVV është Mjegulla! PDK është Qartësia! Ne jemi qartësia dhe drita e re! Drita që do ta Rimëkëmbë Kosovën! Gjithçka e lidhur me ne është në dritë!”, ka thënë Hoxhaj.

“Vetëvendosje është mjegulla. Ata i fshehin qëllimet e tyre. Ata e fshehin programin e tyre. Ata fshehin historinë e tyre. Ata fshihen! Vetëvendosje është e rrezikshme. Sepse e panjohura është e rrezikshme. Sepse mjegulla është e rrezikshme. Ne nuk do të lejojmë që Albin Kurti të marrë pushtetin. Ne nuk do të lejojmë që Kosova të rrëshqas në ujëra të panjohura. Ne do ta ndalim atë. PDK do ta ndal atë! Të gjithë ne së bashku do ta ndalim atë”.

Të dielën, Hoxhaj ka thënë se ato që i premton do t’i realizojë nëse është në krye të Qeverisë.

“Të dielën, ne do të fillojmë Rimëkëmbjen. Jam i nderuar të bëhem Kryministri juaj i ri. Ju premtoj. Unë do të mbaj fjalën. Unë garantoj që secila fjalë e programit tonë do të jetësohet!. Ja u jap fjalën dhe besën!Dhe ju duhet të më besoni për këtë. Më besoni që ne do të realizojmë të ardhura më të larta për të gjithë qytetarët e Kosovës. Programi jonë ekonomik është më i miri. Është pragmatik. Është i realizueshëm”.

“Ju e dini Programin tonë! Ju e dini çka do të thotë Rimëkëmbja për Kosovën. Ju e dini çka do të thotë Rimëkëmbja për secilin prej jush. Pensionistin. Mësimdhënësin.. Intelektualin. Ndërmarrësin. Taksistin. Studentin. Nënën. Gratë e Kosovës. Rininë e Kosovës. Të gjithë e dinë çka është Rimëkëmbja. Sepse Rimëkëmbja do të jetësohet me Ju! Sepse ju jeni Rimëkëmbja. Sepse PDK-ja është Rimëkëmbje”, ka thënë Hoxhaj.