Humb jetën 45-vjeçari gjatë fluturimit me parashutë në Prizren

Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar gjatë një fluturimi me parashutë në Prizren, të shtunën rreth orës 13:00. Personi që ka humbur jetën  është Artan Venhari,  që ishte edhe trajner në Federatën Aeronautike të Kosovës.

Lajmin për media e ka konfirmuar togeri i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanolli.

Osmanolli ka thënë se personi i lënduar është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit për tretman mjekësor.

“Rreth orës 13:00, policia është njoftuar për një incident që ka ndodhur në Prizren, në zonën ku bëhen fluturimet me parashutë, ku ka qenë duke ushtruar grupi që bën fluturime. Nga informatat e para, një 45 vjeçar ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa një person është lënduar”, ka thënë Osmanolli për media.

Sipas Osmanollit, në vendin e ngjarjes aktualisht është policia e hetimeve rajonale të cilët po merren me rastin.

Ndryshe, sezoni i fluturimeve me parashut është hapur zyrtarisht në Prizren më 5 korrik.