Hoti diskuton me kryetarët e komunave masat e reja anti-covid

Ka përfunduar mbledhja virtuale e Kryeministrit Avdullah Hoti me kryetarët e Komunave të Kosovës.

Aty u diskutua lidhur me masat e reja marrë së fundi nga Qeveria Hoti, në kuadër të parandalimit të përhapjes së virusit Covid-19.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë për Klan Kosovën se kryetarët e komunave kanë mirëpritur të gjitha masat e reja që sipas tyre do të shërbejnë në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.

Ai ka konfirmuar se për situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit, javën e ardhshme do të mbahet edhe një mbledhje tjetër ndërsa komunikimi i nivelit qendror me atë lokal do të vazhdojë.

Niveli lokal sot ka parashtruar edhe kërkesa të tjera, kësaj radhe për kompetencë në spitalet rajonale, gjë që ka gjetur mbështetje nga niveli qendror.

Ibrahimi ka theksuar që shtabet komunale të Emergjencave tashmë janë funksionale megjithatë kryetarët e komunave janë zotuar se do t’i mbështesin të gjitha masat që vijnë nga niveli qëndror.

Sipas tyre me qëllim të zvogëlimit të numrit të të infektuarve nga Covid-19.

Në këtë takim virtual, kryetarët e komunave kanë kërkuar nga Kryeministri Avdullah Hoti që të shtohet numri i inspektoratit nëpër zona të ndryshme si dhe të rritet orari i punës për Policinë e Kosovës në mënyrë që mbikëqyrja të prodhojë sa më shumë rezultat.