Humolli: E pranuam edhe Specialen, por tash po ofendohemi e po poshtërohemi për luftën çlirimtare

Fatmir Humolli, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje tani deputet i pavarur, deklaron për Front Online se ambasadori amerikan Hovenier duhet të ketë respekt ndaj klasës politike kosovare.

Dhe nëse dëshiron të ketë partneritet jo të gjitha gjërat sipas tij duhet të bëhen publike.

Sipas tij, Kosova ka dëgjuar Amerikën edhe për themelimin e Gjykatës Speciale.

E, pikërisht kjo sot po ofendon luftën çlirimtare të Kosovës dhe historinë e kombit.

“Për mendimin tim ku nuk i kemi dëgjuar amerikanët kur na kanë quajtur terrorista ne kemi vazhdua luftën dhe në të njëjtën kohë e kemi detyruar Amerikën me bombardua Serbinë. Dëgjimi bllanko, dëgjimi i pavlerësuar shpesh herë e ka vendos popullin tonë në pozitë të keqe. Sikurse, është tash rasti me Gjykatën Speciale që është ofendim për luftën çlirimtare të Kosovës, është poshtërim që po i bëhet historisë së kombit tonë, dhe ambasadorët shkojnë e vijnë. Ata shpesh herë nuk i vlerësojnë hapat më tutje çfarë ndodhë”, është shprehur Humolli për Front Online.

Sipas tij, pavarësisht që Serbia është shteti që ka kryer luftëra në Ballkan, amerikanët po lavdërojnë këtë të fundit, derisa po e godasin Kosovën.

“Ne kemi përballë një Serbi e cila për fat të keq është një shtet që amerikanët shpesh herë po e lavdërojnë dhe duke e lavdëruar Serbinë, derisa Serbia i ka bërë të gjitha luftërat në Ballkan edhe tash prapë duhet me u godit Kosova, pra duhet me u godit ne si shqiptarë”, ka shtuar Humolli për Front Online.