“Krisje” në PD, Ristani: Opozita nuk e realizoi dot objektivin, pres që Basha të reflektojë

Arben Ristani foli pa ‘doreza’ sot në Top Talk duke thënë me zë shumë gjera që Demokratët ndoshta i mendojnë por nuk guxojnë t’i thonë.

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD-së tha se djegia e mandateve nga opozita nuk ishte rruga e duhur, sidomos mos futja në zgjedhje.

Ish-nr 2 i Partisë Demokratike është i mendimit se tani që opozita nuk e realizoi dot objektivin, Basha duhet të reflektojë.

“Ne momentin kur është marrë vendimi edhe unë kam qenë pjesë e trupës qe e mori vendimin për të djegur mandatet. U duk se ishte zgjidhja e vetme për të sensibilizuar Shqiptarët për të keqen që po ndodhte, për t’i thënë Shqiptarëve se kjo nuk behej për karriget e deputetëve të PD-së. Duhej kjo rrugë radikale edhe për të bindur partnerët ndërkombëtarë por tashmë rezultati është ky që kemi në tavolinë, që opozita e bashkuar nuk e arriti dot objektivin që zgjedhjet të mos realizoheshin, gjithashtu nuk u arrit të merrnim dot përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Pra duke u nisur nga pasojat besoj se nuk ishte rruga e duhur, sidomos mos futja ne zgjedhje. Por prapë është reflektim personal. Duke u nisur nga rezultati, për sa kohë nuk arritëm ta largojmë Ramën, për sa kohë nuk arritëm të mos zhvilloheshin zgjedhjet në 30 qershor, duke u nisur nga rezultati, fakti është që rruga nuk ishte e duhura”.

I pyetur për faktin se opozita ndodhet e pa përfaqësuar as në nivel vendor dhe as ne nivel qendror, Ristani tha:

“Kjo e ka dëmtuar jashtë mase jo vetëm opozitën dhe elektoratin e djathtë por edhe me gjerë sepse e ka lënë elektoratin të pa përfaqësuar. Nuk janë më pjesë e parlamentit, nuk janë më pjesë e pushtetit lokal, nuk janë pjesë e këshillave bashkiakë dhe ky është një dëm që i është shkaktuar jo vetëm elektoratit të djathtë por edhe shqiptarëve”

Por a mund ta tkurrë kjo Partine Demokratike?

“Sigurisht që ka pasoja në elektorat sepse do të duhet që kjo të kompensohet. Duhet shtuar doza e njerëzve idealistë në ato nivele sa të kompensojnë qenien e opozitës jashtë institucioneve”, u përgjigj Ristani.