Humolli: Qeverinë Kurti do ta ndëshkoj populli

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli tha për Front Online se Bashkimi Evropian dhe Amerika po insistojnë për Asociacionin për shkak se faktori politik, në Kosovë e Shqipëri, sipas tij, është i përçarë.

“Tash çdo përpjekje, Serbia me miqtë e vet e bën që me përfunduar në një ujdi në interes të saj dhe në dëm të Kosovës. Kurse Kosova dhe Shqipëria nuk janë në nivel të detyrës me u unfiku përball këtij presioni të bashkësisë ndërkombëtare. Në vend që faktori politik me u unifiku, ai po përçahet. Serbia po e shfrytëzon këtë përçarje. Insistimi vjen si rezultat i përçarjes së faktorit politik shqiptar”.

Ai akuzoi Qeverinë aktuale se nuk i kupton proceset, sikurse dialogu.

“Qeveria aktuale nuk e kupton si zhvillohen proceset ndërkombëtare, në vend që me kriju unitet, po e përçan kombin tonë. Problemi i Kosovës është problem kombëtar dhe është obligative me bashkëpunu me opozitën”.

Humolli, që ishte pjesë e VV-së, tani akuzon partinë për mos mbajtje të premtimeve elektorale.

“VV ka deklaruar se nuk bisedon me Serbinë për Kosovën, ka thënë se do të bisedojë me serbët e Kosovës. Sot pranon me diskutu me Serbinë për Kosovën”, theksoi Humolli.

Humolli përmend dështimet e Qeverisë Kurti, pret “ndëshkimin” e popullit

Deputeti i pavarur Fatmir Humolli ka thënë se VV ka dështuar në shumë procese politike.

“VV e ka djeg kartën e perspektives. Ka premtu perspektivë, jetë aktive, zhvillim, dështimi i parë është mos krijimi i unitetit, dështimi tek investimet kapitale gjakderdhja financiare, problemet në arsim, në siguri, kudo kena telashe të cilat për fat të keq nuk i menaxhon mirë”.

Ai pret ndëshkimin e qytetarit.

“I bindur se qytetari ynë ia ka dhanë shansen me ndërru gjendjen. Këtë shans nuk e ka shfrytëzu, është dëm kombëtar, i bindur se qytetarët përmes votës do të tregojnë se është shumë gabim dhe nuk ka mundësi me na mashtru. Do ta ndëshkojnë”.

Humolli: Albini e Liburni s`e mbajtën fjalën

Fatmir Humolli tha se Liburn Aliu dhe Albin Kurti nuk ia mbajtën fjalën që ia dhanë kur e ftuan në Vetëvendosje.

“Jena marr vesh për investime kapitale me Albin Kurtin dhe Liburnin. Nuk e mbajtën fjalën”, tha Humolli.

” Kemi thënë së do t`i krijojmë sigurimin shëndetësor për polici e fsk. S`po ndodh. Një sjellje dashakeqe me sigurinë e vendit. Nuk është e arsyeshme me komuniku veç me thënë komunikova. VV i di qëndrimet e mia, unë i di të atyre. Jo nuk ka ndodh me thirr Albini pas ikjes time nga grupi parlamentar”, shtoi Humolli.

Ish-deputeti i VV-së: Disa deputetë nga të gjitha partitë janë gati për një grup të ri parlamentar

Fatmir Humolli është ndarë edhe zyrtarisht nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputeti tha për Front Online se nuk do të jetë më pjesë kurrë e kësaj partie.

“Nuk kam mundësi me qenë pjesë e VV-së, nuk ka gjasa, një herë mundet me të mashtru dikush. S`o korrekte mem mashtru prapë”.

Ai tha se nuk do të bëhet pjesë e asnjë grupi parlamentar, veçse potencoi se ka deputetë nga të gjitha partitë që janë gati për një grup të ri parlamentar.

“E kam çel derën me u bo pjesë e secilit grup tjetër parlamentar. Nuk kemi pikëpamje të afërta. Ka brenda VV-së që kanë shpreh gatishmëri me bo një grup të ri parlamentar, por nuk është e domosdoshme, pa e ndërtu një platformë të qartë politike se çka dojnë. Ka deputete që janë te pakënaqur me VV-në e subjektet e tjera politike, por kur diskutohet për arsye, janë arsye që s`ma mushin mendjen m`u bo pjesë e një grupi që mundet me shty diçka përpara”, tha ai.