Huqja e dytë e Kurtit për sot–thotë se Varadkar është kryeministri i parë irlandez që viziton Kosovën, por një gjë e tillë s’qëndron

Leo Varadkar, kryeministër i Irlandës, ka arritur në Kosovë për ta zhvilluar nesër vizitën e tij zyrtare.

Varadkar është pritur në Aeroport nga kryeministri Kurti, i cili tha se Varadkar është kryeministri i parë irlandez që e viziton Kosovën.

“Sonte në aeroportin e Prishtinës e mirëpritëm Kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar në vizitën e parë ndonjëherë të një kryeministri irlandez në Kosovë”, shkroi Kurti.

Megjithatë, del se Kurti këtë informatë e ka të gabuar.

Kjo pasi në dhjetor të vitit 2008, kryeministri i atëhershëm Brian Cowen e kishte vizituar Kosovën.

Ai kishte zhvilluar atëherë takime me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Kjo është huqja e dytë sot e Kurtit, pasi gjatë ditës tha se Petrit Dula po mbahej ende në burgjet e Serbisë, ndonëse Dula është liruar para disa muajsh nga autoritetet serbe, shkruan lajmi.net.