Huqja e madhe e Pacollit – Ramadani: Ushtrisë vetëm emrin nuk ia kemi ndërruar!

Ish-numri dy i Ministrisë së Mbrojtjes, Burim Ramadani, që ka qenë edhe Koordinator Nacional për Integrim dhe Anëtarësim në NATO, i është përgjigjur ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli, që ka thënë se për Ushtrinë Qeveria e Ramush Haradinajt nuk ka bërë asgjë më shumë se ndryshimin e emrit.

“Pse po përhapni lajme të rrejshme rreth Ushtrisë? Pasaktësia e qëllimshme rreth ushtrisë – Sa për sqarim të shkurtër rreth formulimeve të pasakta të disa politikanëve rreth Ushtrisë. Për habi, po lexoj se paskan thënë që ‘për ushtrinë nuk kemi bërë asgjë, vetëm ia kemi ndryshuar emrin’”, ka shkruar Ramadani, që ka shtuar se “e kundërta është e vërteta”.

“Vetëm emrin nuk ia kemi ndryshuar. Pra, emri ka mbetur i njëjti: FSK. Gjithçka tjetër po”, ka thënë Pacolli, duke numëruar disa nga ndryshimet që sipas tij kanë ndodhur.

• Mandati ka ndryshuar dhe tash përfshin edhe mandatin për mbrojtjen e sovranitetin dhe integritetit territorial;

• Është themeluar Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së;

• Janë larguar të gjitha kufizimet e mëparshme në pajisje dhe sisteme të armatimit dhe tashmë gjithçka zhvillohet sipas Planit 10 vjeçar në këtë aspekt;

• Janë themeluar katër Komandat, duke përfshirë për herë të parë edhe Gardën Kombëtare;

• Dyfishohet numri i personelit aktiv nga 2500 në 5000 (tashmë 337 të parët janë betuar);

• Numri i personelit rezervë rritet nga 800 në 3000, pra pothuajse katërfishohet;

• Kemi kaluar nën menaxhim të FSK-së edhe Aeroportin e Gjakovës – në përgatitje për forcën modeste ajrore dhe për kontribut për NATO;

• Ndryshon doktrina e trajnimit dhe edukimit të oficerëve të ushtrisë sonë, në bazë të misionit të ri.

“Për tjerat ndryshime, herën tjetër. Kemi shumë për çka të flasim. Ky është vetëm fillimi”, ka thënë ai.