Hykmete Bajrami: LDK-ja pretendon ta fitojë Prishtinën pa balotazh

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se në parti ka shumë besim se Përparim Rama do të jetë kryetar i ardhshëm i Prishtinës.

Rama është kandidat nga radhët e LDK-së për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

“Ne kemi shumë besim që z. Rama do të jetë kryetar i ardhshëm i Prishtinës. Në fakt konsiderojmë që është personi i duhur për katrahurën në të cilën ne po jetojmë. Ju e dini personalitetin e tij, nuk besoj se ka nevojë të flitet, por ai vazhdimisht edhe pse me karrierë në Londër e punë gjithandej globit kishte pasion Prishtinën. Ka projekt e zgjidhje pothuajse për secilin problem. Tani jemi duke finalizuar programin zgjedhor për Prishtinën. Besoj se me një program e platformë e ekip çfarë ka z. Rama e mbështetjen e komplet strukturave të LDK-së, qofshin ato të vjetra në moshë apo të reja, që ço e mbështesin. Z. Rama do të jetë kryetar. Jo vetëm kryetar i LDK-së por i gjithë qytetarëve të Prishtinës, pasi jeta Prishtinë është bërë e padurueshme. Para gjithash konsideroj problemet janë urbanistike. Të ju them të drejtën e kam vështirë të di cili është kundërkandidati më serioz. Mund të flas vetëm për programin e tij. Ne pretendojmë me marrë pa balotazh”, tha Bajrami në Interaktiv të KTV-së.

Ajo ka thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje e kandidon ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për kryetar të Prishtinës, me këtë e dëshmon se nuk e ka problem zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, por vetëm për të fituar zgjedhjet.

“Konsideroj se kandidatura e z. Vitia në këtë rast nuk do të ndihmojë Lëvizjen Vetëvendosje, sepse qytetarët e Republikës, jo pse kemi frikë, me rastin e kandidimit të tij qytetarët e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e Prishtinës, do të binden se Vetëvendosja jeton me kauza të rreme. Për shkak se qytetarët e Kosovës ia kanë dhënë votën atij për të qenë ministër i Shëndetësisë, e presim zgjidhjen e problemeve shëndetësore. Nëse ministrat aktual të Qeverisë Kurti do të lënë ministritë e do të kandidojnë nëpër komuna, do të dëshmohet çfarë kemi thënë prej ditës së parë se Vetëvendosja nuk ka njerëz”, tha Bajrami. /koha.net/