Hyseni: Rreziku më i madh Kosovës i vjen nga Kurti e Osmani, koha t’i kundërshtojmë frontalisht

Ish-kryediplomati kosovar, Skënder Hyseni, ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti po e shkatërrojnë shtetin me politikat e tyre ndaj kërkesave të ndërkombëtarëve.

Reagimi i tij vjen pas asaj që vendosi Kurti për çështjen e targave, i cili vendosi ta modifikojë vendimin, por mos ta shtyjë siç kanë kërkuar ambasadorët e vendeve të Quint-it.

“Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, me politikën e tyre të rrezikshme dhe izolacioniste kanë nisur të shkatërrojnë çdo gjë që me aq mund është ndërtuar gjatë tri dekadave të fundit në Kosovë. Me veprimet e tyre politike, sinonim i populizmit ekstrem, ata po punojnë kundër interesave fundamentale të shtetit të Kosovës duke rrezikuar të ardhmen tonë kolektive! Është koha e fundit që këta të ashtuquajtur liderë dhe politika e tyre të kundërshtohen frontalisht. Paradoksalisht, rreziku më i madh Kosovës sot i vie nga këta liderë dhe aventurat e tyre fëminore politike!”, ka shkruar Hyseni.

Ai thotë se Kosova është shtet, mbi të gjitha falë përkrahjes së pakursyer e vendimtare të botës dhe demokracive perëndimore me në krye SHBA-në.

“Ndërkohë që sot Kosova udhëhiqet nga dy aventuristë egocentrikë e narcisoidë, të cilët duke bërë lojëra fëmijësh me TARGA, po rrënojnë aleancën dhe partneritetin me vendet më demokratike, përkatësisht me përkrahësit strategjikë të Kosovës në botë”.

Ish-kryenegociatori i bisedimeve me Serbinë thotë se status-quoja në raportet me Serbinë është armiku më i madh i Kosovës sot dhe nesër.

“Nuk guxojmë të lejojmë që shteti ynë të ekspozohet ndaj planeve dhe ndikimeve nga faktorët destabilizues që për qëllim kanë prishjen e rendit kushtetues dhe sigurisë në Kosovë dhe Ballkan. Forcimi i partneritetit dhe komunikimi e koordinimi sistematik me SHBA-të dhe vendet tjera të Quintit duhet të rikthehet në binarë. Dialogu me Serbinë dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore me njohje të ndërsjellë është dhe duhet të jetë prioritet mbi të gjitha prioritet i çdo qeverie të Kosovës. Prandaj, pa u vonuar, dialogu me Serbinë duhet të rikthehet në kornizën e duhur. Duhet pa vonesë të ndalen lojërat e targave dhe Marrëveshja Gjithëpërfshirëse të vendoset si prioritet dhe urgjencë. Një marrëveshje e tillë, të gjitha këto çështjet periferike, si kjo puna e targave, i bënë lehtë të zbatueshme”.

Hyseni tha se nuk mund të ketë progres as në rrugën e Kosovës për anëtarësim në NATO e as BE pa u arritur kjo marrëveshje.

“Janë çështje drejtpërdrejt të lidhura. Në këtë kontekst, duhet urgjentisht të rivendoset komunikimi dhe koordinim sistematik dhe harmonizimi i politikave me Administratën e Presidentit Biden duke respektuar rekomandimet. Në Uashington, Bruksel, Berlin, Londër, Paris dhe Romë, Qeveria e re duhet të intensifikojnë praninë dhe përpjekjet për ruajtjen e partneritetit! Kurtit e Osmanit duhet t’u themi në unison: Këndelluni! Mos luani me fatin dhe të ardhmen e vendit tonë!”, ka shkruar Hyseni.