Fillon dëshminë dëshmitari Zijadin Hoxha në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i pestë i mbrojtjes, Zijadin Hoxha (me kodin W03887, në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar mbrojtja e Pjetër Shalës përmes avokatit, Jean-Louis Gilissen. Dëshmitari Hoxha tha se ka qenë i burgosur politik.

“Kam qenë në vitin 81 i burgosur politik. I kam mbajt 9 vjet burg në burgjet e Jugosllavisë. Me kanë akuzu si kundërrevolucionist”, tha Hoxha.

Dëshmitari Hoxha tha se deri në prag të luftës ka jetuar në Gjermani pasi që në vitin 1993 ishte larguar nga vendi me arsyen se kishte tendenca që të arrestohet serish.

“Në vitin 1993 jam largu. Kanë deshtë me më arrestu për të dytën herë UDB-ja jugosllave dhe kam ikë nga vendi im kam dal në Gjermani dhe e kam fitu azilin politik në Gjermani dhe në Gjermani kam jetu”, tha Hoxha.

Dëshmitari Hoxha tha se me 22 ose 23 prill të vitit 1999 ka ardhur në Shqipëri për t’u mobilizuar në UÇK. Ai tha se nga Gjermania ka ardhur me një shok të tij të quajtur, Ekrem Ahmeti.

Sipas kryetares së trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia pyetjet për këtë dëshmitar do t’i vazhdojë edhe përfaqësuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe pastaj avokati që përfaqëson viktimat në këtë çështje gjyqësore.

Gjyqtarja Veldt- Foglia tha se pyetje për këtë dëshmitarë mund të kenë edhe anëtarët e trupit gjykues.

Sipas kryetares së trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë edhe gjatë ditës së nesërme.

Në fillim të seancës, trupi gjykues kundërshtoi kërkesën e mbrojtjes së Shalës që të zgjasë afatin për marrjen në pyetje të dëshmitarit Zijadin Hoxha.

Vlen të theksohet se seancën gjyqësore, i akuzuari Pjetër Shala është duke e ndjekur përmes video-lidhjes.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi