I emëruari i pushtetit të ri në Postë, Florent Tahiraj, arrestohet për keqpërdorim të detyrës në “Trafikun Urban”

Katër persona të dyshuar për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe përfshirje në “Konflikt interesi“ janë arrestuar nga krimet ekonomike të Policisë së Kosovës.

Në mesin e të arrestuarve, Demokracia.com mëson se është edhe ish-kryeshefi i Trafikut Urban, Lulzim Rexhepaj dhe ish-sekretari Florent Tahiraj. Ky i fundit përkrahës i Listës Guxo dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Florent Tahiraj para dy muajve ishte emëruar sekretar në Postën e Kosovës nga pushteti aktual.

Demokracia.com kishte raportuar se Tahiraj, ish-anëtari i LDK-së që i doli në përkrahje Vjosa Osmanit, kishte filluar punën e tij të re nga 1 dhjetori i vitit 2021.

Vendimi për këtë ishte marrë nga Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Postës së Kosovës, i cili po ashtu është emëruar nga Qeveria Kurti II dhe përbëhet nga persona të afërt me pushtetin aktual.

Tahiraj bashkë më ish-zyrtarë të tjerë po dyshohen se kanë kanë kryer veprat penale:

• “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, lidhur me nenin 31,

• “Konflikti i interesit” nga neni 423, lidhur me nenin 31

• “Ndihma” nga neni 33, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, gjegjësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë (Departamenti për Krime të Rënda), sot me datë 14.03.2022 pas shumë veprimeve hetimore/operative, përmes hetuesve kompetent kanë arrit të sigurojnë informata në lidhje me aktivitetin kriminal, ku dyshohet se personat e dyshuar me iniciale (deri sa ishin në pozita, tani nuk i ushtrojnë ato pozita); R. B. (Kryesues i Bordit të Drejtorëve të NPL “Trafiku Urban”), L. R. (Kryeshef i NPL “Trafiku Urban”), F. T. (Sekretar në NPL “Trafiku Urban”) dhe V. K. (Menaxher në një auto-sallon), kanë arritur që përmes marrëveshjeve dhe koordinimeve në mes vete, veturën që ka qenë në pronësi të Kryesuesit, ta shesin fillimisht në një auto-sallon dhe pastaj përmes procedurave tenderuese ta blejnë të njëjtin për nevojat e NPL “Trafikut Urban” në vlerë prej disa mijëra euro me shtrenjtë se vlera reale (duke i shkaktuar dëme buxhetit të Ndërmarrjes dhe njëkohësisht përfitime për vete)”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tahiraj për vite radhazi ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ky i fundit ishte edhe drejtor i Forumit Rinor të kësaj partie në Gjakovë.