I fajësuan për shkatërrimin e PTK-së, por Komisioni hetimor nuk intervistoi asnjë politikan

Edhe pse në listë për intervistë si dëshmitarë kanë pasur ministra, kryeministrin apo ish-kryeministra, liderë dhe ish-liderë të partive politike, Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, nuk arriti që të intervistojë asnjë prej tyre në 28 mbledhje sa ka mbajtur në përudhën prej 5 muaj e gjysmë sa ka funksionuar pasi nesër pritet të shpërndahet Kuvendi.

Ndërsa, sot gjatë miratimit unanim të raportit hetimor, pothuajse të gjithë deputetët e partive që janë anëtarë të Komisionit, vunë në theks se raporti ka disa vërejtje dhe nuk figuron në të ndikimi politik.

Deputetët e partive, veçanërisht të PDK-së dhe LDK-së, e shfrytëzuan mbledhjen e fundit edhe për fushatë.

Deputeti Haxhi Avdyli nga LDK-ja tha se ky raport plotëson kushtet bazike për punën e Komisionit, por ka disa mangësi në të, ngase mjaft pak janë përmend në të ndikimet politike.

Deputeti Avdyli theksoi se zanafilla e këtij krimi ka filluar me qeverinë e parë pas pavarësisë, me Qeverinë “Thaçi 1”. Madje, Avdyli fajësoi edhe ish-qeverinë e partisë së tij, për mosveprim për ndalimin e krimit në PTK.

Ndërsa deputetit nga PDK, Bekim Haxhiu, nuk i pëlqeu diskursi i deputetit Haxhi Avdyli, sepse siç tha ai ky proces  për MVNO-të ka filluar në vitin 2006 me anëtarë të LDK-së, ndërsa shprehja e interesit ka filluar më 3 tetor 2007 ende pa filluar procesi zgjedhor i 2007-s, dhe ende pa i fituar PDK-ja zgjedhjet në 2007.

Haxhiu tha se nëse asgjë tjetër nuk është arritur në këtë Komision, ka arrit ta ç‘kapë Telekomin nga Devollët.

Edhe deputetja Albulena Haxhiu ka përkrahur raportin, por në mungesë të kohës tha se nuk kanë arritur që të intervistojnë ministra, ish-ministra, kryeministra dhe ish-kryeministra.

Ajo sot fajësoi edhe një ish-ministër, Ahmet Shalën, sipas të cilës ka qenë personi kyç që ka bërë presion për nënshkrimin e kontratës “Z-Mobile”.

Deputeti Armend Zemaj nga LDK tha se janë tri arritje të këtij komisioni me gjithë pengesat që ka pasur.

E para, sipas tij, është nxjerrja në sipërfaqe e shumë të gjeturave të cilat pasqyrojnë gjendjen reale të degradimit të Telekomit, e dyta sensibilizimi i opinionit dhe bashkëpunimi me sindikatën e punëtorëve për të mbrojtur interesin e Telekomit dhe e treta pasqyrimi real i kapacitetit profesional i gjithë udhëheqësve të Telekomit dhe ndërlidhjet e tyre me politikën për të shfrytëzuar Telekomin për interesa grupore.

Kryesuesi i komisionit në mbledhjen e fundit me këtë përbërje, Visar Ymeri tha se ky raport është i mirë, ka hapësirë edhe për çështje të tjera, mirëpo Komisioni nuk ka arrit ta përfundojë punën në mandatin gjashtë mujor për shkak të mundësisë së shpërndarjes së Kuvendit nesër.

Deputeti i PSD-së, Ymeri tha se asnjë intervistuar prej menaxhmentit nuk ka mundur me dëshmuarë që kontratat e lidhura kanë qenë të nevojshme për Telekomin.

Ymeri theksoi se ajo çfarë mund të bëjë sot Komisioni, është që ta miratojë raportin me punën e deritashme, në mënyrë që t’i mbetet legjislaturës së ardhshme të ta rinisë një Komision me një periudhë gjashtë mujore  për të njëjtën çështje, meqë është e lejuar edhe me ligj.

Me propozimin e deputetit Zemaj, raporti i është votuar pro dërgimit në prokurori të Kosovës./KosovaPress/