Zelensky zbardh detaje nga takimi me Ramën: Folëm për prodhimin e mundshëm të armëve të përbashkëta

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka reaguar në një postim në rrjetet sociale pas takimit me kryeministrin Edi Rama.

Zelensky shpreh mirënjohjen për mbështetjen e Shqipërisë, ndërsa shkruan se nuk do e harrojë qëndrimin e ngrohtë të shoqërisë shqiptare ndaj ukrainasve. Zelensky shton se në takimin me Ramën kanë folur për prodhimin e mundshëm të armëve të përbashkëta.

“Që në ditët e para të pushtimit të plotë, Shqipëria ka mbështetur Ukrainën në luftën tonë për liri dhe integritet territorial.

Gjatë takimit me kryeministrin shqiptar Edi Rama ne nënshkruam Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë.

Ky dokument do të ndihmojë në forcimin e bashkëpunimit tonë me Shqipërinë dhe pozicionin e Ukrainës në Ballkan.

Sot diskutuam gjithashtu nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe prodhimin e mundshëm të armëve të përbashkëta. I jemi mirënjohës qeverisë dhe popullit shqiptar.

Nuk do ta harrojmë kurrë qëndrimin e ngrohtë të shoqërisë shqiptare ndaj ukrainasve”, shkruan Zelensky.