I ftuari i radhës nga Specialja

Ftesat e Gjykatës Speciale janë shpeshtuar shumë. Ato po vazhdojnë të vijnë njëra pas tjetrës, shkruan Fokusi.info.

I ftuari i radhës është veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Durmish Gashi nga fshati Fortesë të Komunës së Rahovecit, veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare.

Njoftimin e ka bërë ai vet përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”.

Postimi i plotë:

“-Më vie keq që sot , në vend të urimit për ditëlindjen e Andinit ( djalit të vëllait tim ) , më duhet të shkruaj këtë njoftim për ftesën e ardhur në emrin tim nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar , ashtu siç pranuan e po pranojnë çdo ditë ftesa të tilla shumë bashkëluftëtar të UÇK- së .

Jam krenar që i takoj gjeneratës e cila gjithë jetën luftoi sundimin serb ndaj trojeve shqiptare , fillimisht në organizimet ilegale të kohës , e më pas i rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në shtabin lokal të Fortesës , në Brigadën 124 “Gani Paçarizi” si dhe pranë Zonës Operative të Pashtrikut si zv. Komandant për ndërlidhje deri në përfundim të luftës. Shumë prej tyre kanë rënë dëshmorë për liri e bashkim kombëtar , ashtu siç ishte edhe betimi i ushtarit të UÇK-së.

Do të duhej që shumë kohë më parë , gjyqi të iu bëhej atyre që vranë e masakruan me qindra e mijëra shqiptar të pafajshëm gjithandej në Kosovë por edhe në Rahovec , Fortesë , Krushë të Madhe,Celinë,Krushë të Vogël, Qëndresë , Hoqë e Vogël , Brestoc, Apterushë , Senoc ,Rudinë (Pastasel) , Ratkoc , Rogovë , Zatriq , Pataqan i Ulët dhe i Epërm e ky varg vazhdon në pafundësi. Ende kemi shumë të vrarë e të pagjetur nga kriminelët serb , por deri më tani nuk u dënua askush për krim , gjenocid dhe pastrim etnik nga forcat okupatore serbe .
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet krenaria e popullit tonë !

Me respekt , Durmish F. Gashi .”