I kërkojnë Thaçit që të mos e dekretojë Ligjin për Paga

519

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, kërkon nga presidenti Hashim Thaçi që të mos e dekretojë Ligjin për pagat pa u tërhequr amandamenti i RTK-së, ku sipas tyre, përmes vendimit të Kuvendit të Kosovës është ndërhyrë direkt në pavarësinë e Transmetuesit Publik.

Ata kanë organizuar një peticion dhe thonë se janë afër që t’i mbledhin nënshkrimet vullnetare të punëtorëve në kundërshtim të këtij vendimi që edhe RTK të përfshihet në Ligjin për Paga.

Më poshtë keni komunikatën e plotë të kësaj sindikate:

Kërkesë

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së kërkon nga presidenti i vendit Hashim Thaçi që mos ta dekretojë Ligjin për pagat, pa e tërhequr amendamentin e RTK-së ku me vendimin e fundit të Kuvendit të Kosovës është ndërhyrë direkt në pavarësinë e Transmetuesit Publik, duke e përfshirë RTK-në  në Ligjin për pagat.

Sindikata e ka kundërshtuar përmes protestave këtë veprim të Kuvendit të Kosovës sepse RTK ka ligjin e vet dhe është e papranueshme që RTK të shndërrohet nga mediumi publik në atë shtetëror.

I nderuar President, kërkojmë nga ju që t’i mbroni të drejtat e  medias në përgjithësi e në këtë rast ta ndihmoni Transmetuesin Publik duke gjetur mundësi ligjore për ta larguar RTK-në nga Ligji për pagat.

Sindikata po ashtu ka organizuar peticion dhe është në përfundim për mbledhjen e nënshkrimeve vullnetare nga ana e kolegëve tanë për ta kundërshtuar vendimin e fundit të Kuvendit të Kosovës për përfshirjen e RTK-së në Ligjin për pagat.