Klinaku për aktakuzat ndaj Krasniqit e Selimit: Pas 3 gushtit, çdo veprim i Speciales është antikushtetues

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku ka folur për aktakuzat e konfirmuara sot nga Gjykata Speciale ndaj dy prej anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së

Klinaku në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se datën nuk e kemi ditur se kur do të ndodh aktakuza ndaj Krasniqit dhe Selimit por sipas tij dokumentet që u ishin sjellë në zyre tregonin diçka të tillë.

“Ne këto veprime vazhdojmë t’i konsiderojmë të kundërligjshme pasi Gjykatës Speciale i ka skaduar mandati me 3 gusht. Çdo veprim pas kësaj date është i kundërligjshëm dhe kundër kushtetues. Ne si OVL UÇK iu kemi treguar institucioneve se këtë çështje do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese pasi Specialja është duke vepruar pa mandat”, tha Klinaku, përcjell Telegrafi.

Klinaku thotë se është absurde që Rexhep Selimi është njoftuar përmes telefonit kur një gjë e tillë do të ishte dashur të bëhet përmes ftesës me shkrim.

“Meqë është Gjykatë e njëanshme dhe shantazhuese natyrisht se i bënë veprimet e saja përmes telefonatave. Ne e dimë që disa njerëz i kanë njoftuar edhe përmes viberit dhe ftesat ua kanë dhënë në kafe”, tha ndër të tjera Faton Klinaku.