I treti më i shtrenjtë te Werder Bremen, kjo është vlera e Rashicës

Sulmuesi Milot Rashica vlerësohet të jetë futbollisti më i shtrenjtë te Përfaqësuesja e Kosovës, me vlerën e tij që pësoi rritje muajin e kaluar.

Deri në muajin qershor, vlera e Milot Rashicës llogaritej 7 milionë euro, teksa më pas pësoi një rritje të lartë, shkruan Gazeta Metro.

Vlera e sulmuesit 23 vjeçar në tregun transferimeve tani është 20 milionë euro, duke u bërë kështu edhe si futbollisti më i shtrenjtë i Kosovës.

Milot Rashica në sezonin e fundit zhvilloi një sezon fantastik me Werder Bremenin, sidomos në gjysmën e dytë të sezonit. Sulmuesi i Kosovës arriti që të shënoi 12 gola dhe dhuroi 6 asistime, duke u kthyer kështu në një nga lojtarët me të rëndësishëm dhe ndër më të dashurit nga tifozët e klubit gjerman.

Kësisoj, sipas faqes së specializuar për vlerën e futbollistëve në tregun e transferimeve ‘Transfermarkt’ sulmuesi vushtrrias vlerësohet edhe si futbollisti i tretë më i shtrenjtë te Werder Bremen.

Më të shtrenjtë se ai janë vetëm Maximilian Eggestein(30 milionë euro) dhe Davy Klaassen(22 milionë euro).