Limaj: Nën udhëheqjen e Kurtit, Kosova po administrohet, nuk po qeveriset

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e kritikoi Qeverinë Kurti për siç tha ai mosrealizimin e asnjë investimi serioz kapital.

Sipas Limajt, nën udhëheqjen e Kurtit vendi po administrohet, nuk po qeveriset, transmeton klankosova.tv.

“Qeveria e Kosovës matet me buxhet, cili është buxheti? Hiqi pagat dhe ndihmat sociale, e shihni që zero buxhet është harxhuar, 70 përqind të buxhetit që e flasin këta është harxhuar në paga, asnjë investim nuk ka ndodhur, s’ka investime kapitale, ma gjeni një investim serioz kapital që ka ndodhur këto tri vitet e fundit, ma gjeni një projekt, një vepër, një angazhim konkret në këto tri vitet e fundit, qeverisja e Kosovës është reduktuar në administrim, nuk jemi duke u qeverisur, ka treguar që s’ka plan, s’ka projekt, janë njerëz të padijshëm, s’kanë guxim në vendimmarrje”, tha Limaj në Klan Kosova.

I pari i Nismës Socialdemokrate tha në Rubikon, se Qeveria Kurti po i ndjek shembujt e vendeve autoritare të rajonit duke kapur dhe kontrolluar të gjitha institucionet publike.

“Po e bëjnë largimin e gjithë asaj që janë njerëzit, në të cilët është investuar shumë dhe rivendosjen e komplet administratës shtetërore me individët e saj, përmes ligjit kjo është duke ndodhur, se këta të tillët, njerëzit që e kanë shumicën atje e nxjerrin një ligj dhe në emër të ligjit po tentohet të krijohet një kapje e shtetit me të gjitha segmentet, ligji për shërbyesit publik, për inspektorë, deri te noterët, çdo gjë që po ndodhë në vendin tonë ka një tendencë largimin e atyre që janë me vendosjen e të tjerëve, po i largon qytetarët e Kosovës” tha Limaj.

Limaj shtoi se tendenca e Qeverisë Kurti për t’i kapur institucionet e qon vendin drejt autoritarizmit.

“Tendenca për të larguar njerëz dhe për të sjellë të tjerët është tendence e heshtur, e kujdesshme për ta kapur administratën dhe kjo nuk është e mirë, është e dëmshme, kjo rrugë qon në autoritarizëm, kapje e çdo gjëje, zërja e frymës në çdo sektor dhe ne jemi të shqetësuar dhe po mundohemi me i dhënë zë kësaj, tash edhe te gjykata, edhe te prokuroria edhe te policia, gjithkund ka tendencë” tha Limaj.