IKD reagon pas emërimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale dhe të Prokurorisë Themelore në Prishtinë

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar reagon ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për siç është thënë integritetin e kontestuar të procesit të emërimit të Kryeprokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe Prokurorinë Themelore (PTH) në Prishtinë.

Sipas një komunikate, IKD kërkon që të shfrytëzohen të gjitha mjetet juridike nga palët në këtë proces që të ndjekin rrugët ligjore për të kthyer mundësinë e zhvillimit të një procesi me integritet për zgjedhjen e kryeprokurorëve në PSRK dhe PTH në Prishtinë.

Reagimi i plotë:

IKD reagon lidhur me integritetin e kontestuar të procesit të emërimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë

Prishtinë, 23 dhjetor 2019 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për integritetin e kontestuar të procesit të emërimit të Kryeprokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe Prokurorinë Themelore (PTH) në Prishtinë. IKD kërkon që të shfrytëzohen të gjitha mjetet juridike nga palët në këtë proces që të ndjekin rrugët ligjore për të kthyer mundësinë e zhvillimit të një procesi me integritet për zgjedhjen e Kryeprokurorëve në PSRK dhe PTH në Prishtinë.

IKD ka monitoruar me kujdes procesin e emërimit të Kryeprokurorëve në këto dy prokurori dhe bazuar në gjetjet e monitorimit, vlerëson se ky proces nuk i plotëson standardet e kërkuara për të siguruar një proces të emërimit të bazuar sipas meritokracisë, publicitetit, respektimit të procedurës së pavarur të ankesave që ndikon në mungesën e besimit të publikut për një proces të drejtë, pavarur dhe të paanshëm.

IKD prej fillimit është angazhuar në monitorimin e këtij procesi dhe në ofrimin e ndihmës përmes ekspertizës pro bono për Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke ofruar vërejtje, komente dhe rekomandime konkrete për procesin e hartimit të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës. IKD publikisht ka përshëndetur qasjen dhe bashkëpunimin e ofruar nga KPK lidhur me procesin e hartimit dhe miratimit të kësaj Rregullore, i cili proces kishte kaluar përmes konsultimit dhe debatit publik, duke përfunduar me miratimin e saj në mbledhjen e KPK-së më 1 gusht 2019.

KPK në bazë të Rregullores së lartpërmendur kishte shpallur konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të PSRK-së dhe konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të PTh në Prishtinë. Paraprakisht, KPK kishte dështuar dy herë gjatë këtij viti që të zgjedh Kryeprokurorin e PSRK-së.

Përderisa, KPK kishte arritur që të miratoj Rregulloren në fjalë në pajtim me ligjin e aplikueshëm në Kosovë dhe kishte ndërtuar standarde të larta lidhur me procesin e emërimit të Kryeprokurorëve, i njëjti Këshill nuk ka arritur që të njëjtën frymë ta zbatoj në praktikë, duke ndikuar që tërë procesi i emërimit të Kryeprokurorëve të humb besimin e publikut për një proces transparent, të paanshëm dhe të bazuar në meritën e kandidatit si për PSRK ashtu dhe për PTh në Prishtinë.

Fatkeqësisht, KPK edhe në vitin 2019, po ballafaqohet me sfida të pakalueshme për të zhvilluar procese transparente, të paanshme, të drejta dhe të pavarura të emërimit të Kryeprokurorëve. Kushtetuta, ligji i aplikueshëm dhe praktikat dhe standardet ndërkombëtare kërkojnë që proceset e emërimit të prokurorëve dhe kryeprokurorëve të jenë të bazuara vetëm në meritat e kandidatit, duke promovuar diversitetin dhe duke shmangur diskriminimin, si dhe që procesi i emërimit duhet të sigurojë një procedurë të pavarur të ankesave, përfshirë kërkesën e publikut që procedurat për emërimin të karakterizohen nga një shkallë e lartë publiciteti dhe transparence për publikun.

Fatkeqësisht, procesi i emërimit të Kryeprokurorëve të PSRK dhe PTh në Prishtinë, është karakterizuar me mungesën e duhur të publicitetit dhe transparencës për publikun. Seancat e KPK-së lidhur me kundërshtimet e parashtruara nga ana e kandidatëve për Kryeprokuror të dy prokurorive janë mbyllur për publikun, përderisa KPK nuk ka dhënë asnjë sqarim apo arsyetim me shkrim.

Fatkeqësisht si Paneli Vlerësues ashtu dhe Komisioni për ri-shqyrtim nuk kanë arritur që detyrat dhe përgjegjësitë e tyre t’i përfundojnë në pajtim me frymën dhe qëllimin e Rregullores. Për më tepër, si rezultat i mos kuptimit të Rregullores së miratuar nga të njëjtit anëtarë të KPK-së, kandidatët për Kryeprokurorë kanë kaluar përmes procesit të vlerësimit dhe poentimit dy herë para Panelit Vlerësues, në bazë të kundërshtimeve të paraqitura nga kandidatët. Në bazë të rregullores, poentimi dhe vlerësimi i kandidatëve do të duhej të ishte mirë i arsyetuar dhe i bazuar, e që në praktikë kjo nuk ka ndodhur.