Ikjet nga Nisma, deputeti Hoti i quan orkestrime të ish-ministrit Hasani

Nismës Socialdemokrate po i largohen anëtarë të tjerë, pas largimit të ish-ministrit, Bajram Hasani, por në këtë parti këto ikje po i gjykojnë si orkestrime nga ish-ministri Hasani.

Hasani ka shpërndarë të enjten një postim në Facebook të Jehonë Berishës, e cila ka njoftuar se largohet nga kjo parti.

“Të nderuar miq! Unë Jehonë Berisha kryetare e nëndegës Verbicë e Zhegocit së bashku me anëtarët e kryesisë në nëndegën e Zhegocit nga sot jap dorëheqjen nga Nisma Social Demokrate ne Gjilan. Për shkak të dorëheqjes se kryetarit të degës ish ministrit Bajram Hasani dhe zyrtarëve të tjerë të degës , tërhiqem nga të gjitha funksionet e mia ne parti. Ne shpresuam shumë besuam ne vizionin tuaj por ju na harruat dhe nuk na përfillët fare. Sllogani juaj ‘Ne mbajmë fjalën’ mbeti vetëm i shkruar. #Të MirëtPoIkin”, ka shkruar ajo.

Ndaj këtij veprimi ka reaguar deputeti i kësaj partie, Enver Hoti, përcjell televizioni publik.

“Publikimet e orkestruara njëra pas tjetrës nga z. Bajrami Hasani, e kanë vetëm një qellim ‘me e rrit kinse peshën politike’ para aderimit në ndonjë parti tjetër, peshë e cila do ta rëndit ish-Ministrin, në fund të rreshtit kudo që shkon! Megjithatë respekt për qëndrimet e secilit!”, ka shkruar Hoti.