IKSHPK: Varianti Omicron rrezikon të përhapet edhe në Kosovë pasi situata në botë është rënduar

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka paralajmëruar se varianti Omicron i coronavirusit mund të rrezikojë përhapjen duke qenë se është raportuar në shumë vende të botës.

Përmes një komunikate për medie, nga IKSHPK-ja kanë bërë thirrje për respektim të masave dhe që qytetarët të marrin vaksinën antiCOVID-19.

“Situata epidemiologjike në Kosovë aktualisht është stabile, por në rajon, Evropë dhe botë është rënduar javët e fundit me shfaqjen e variantit të ri të virusit SARS CoV-2 Omicron (B.1.1.529) i cili është raportuar tashmë në shumë shtete të botës dhe rrezikon përhapjen e këtij varianti edhe në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar qytetarë!

IKSHPK është duke e përcjellë në vazhdimësi situatën epidemiologjike në vend, në rajon dhe në botë.

Situata epidemiologjike në Kosovë aktualisht është stabile, por në rajon, Evropë dhe botë është rënduar javët e fundit me shfaqjen e variantit të ri të virusit SARS CoV-2 Omicron (B.1.1.529) i cili është raportuar tashmë në shumë shtete të botës dhe rrezikon përhapjen e këtij varianti edhe në Republikën e Kosovës.

Ne jemi duke vazhduar pandërprerë me gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik.

Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet në rast të rritjes së rasteve të reja, dhe kjo do të mund të paraqesë mbingarkesë të re për sistemin shëndetësor dhe për profesionistët shëndetësor.

Andaj, IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, për respektimin e të gjitha masave sipas vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.

Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19.